A r d h m ë r i a

Urimi i ramazanit – UIAZD

Mirë se vjen o Ramazan!

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Si çdo vit po na troket muaji i bekuar i Ramazanit për të reflektuar e përmirësuar vetveten, familjen, shoqërinë e mbarë botën! Edhe pse jemi në ditën e fundit të muajit Shaban, kemi filluar të ndiejmë aromën e këndshme të musafirit qiellor që do na flladisë me mirësitë e tij të panumërta.

Por ky Ramazan sikur vitin e kaluar po na gjen në një gjëndje të jashtëzakonshme. Ne si muslimanë kemi trashëguar kulturën e Profetit a.s në mikpritjen e musafirëve të bekuar qoftë edhe në të tilla situata.

Nga ky Ramazan 2021 po na ndan Nijeti dhe plani i shfrytëzimit të tij kështu që le të jetë motoja jonë në këtë muaj:” O Allah, unë do zbuloj një faqe të re tek vetvetja që nuk e njihja më para dhe do të adhuroj Ty, o Allah si asnjëherë më parë!”

Me këto ndjenja dhe emocione na bëjnë ta shijojmë Ramazanin si një lindje e re për vetvetet tona pasi ky muaj është muaji i pastrimit, i ndryshimit, i zhvillimit dhe i përparimit. Me adhurimet tona gjatë natës dhe ditës do zbukurojmë jetën tonë e do stilisim mbarë shoqërinë.

Shoqëria muslimanë buron nga familja dhe le të shfrytëzohet kjo situatë e krijuar duke iu dedikuar familjes. Ndoshta neve nuk na pëlqejnë disa gjëra, pasi jemi mallëngjyer për namazin e Teravisë, Iftaret e përbashkëta e vizitat e ndërsjellta, por Allahu ka urtësinë e Tij në gjithçka, kështu që angazhimi maksimal me familjen gjatë këtij muaji mbetet prioritet i muslimanëve për të arritur synimin final të Ramazanit, siç na mëson Allahu në Kuran:” O ju që keni besuar, iu është bërë obligim agjërimi ashtu siç ishte për ata para jush, që të bëheni të devotshëm.” 2/183

Duke shpresuar nga Allahu që të na i lehtësojë adhurimet gjatë muajit Ramazan e në veçantë agjërim, me shpresë që ditën e Gjykimit të ftohemi në xhenet nga dera Rejan!
Amin!


Me respekt:
UIAZD

Scroll to Top